Megjithëse 20 vjeçar, Albi Sorra është pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet ndërkombëtare të sportit të boksit dhe në këtë aktivitet merr pjesë si përfaqësues i Universitetit të Sporteve të Moskes, që është njëkohësisht edhe klubi i kryeqytetit rus.
“Për momentin, thotë boksieri 20 vjeçar, po vijoj me stërvitjen në qytetin e Moskës, ku jam përzgjedhur për të marrë pjesë si përfaqësues i qyteti në kampionatin “Grand Master”. “Ndërkohë, thotë boksieri 3 herë kampion i Shqipërisë, po përpiqem të promovoj boksin shqiptar këtu në Rusi duke marrë pjesë në disa aktivitetet të rëndësishme të boksit”.
“Shpresoj të marr titullin “Grand master”, që është grada më e lartë për boksin amator në Rusi, megjithëse konkurrenca është me të vërtetë mjaft e madhe”, thekson Sorra. “Në Rusi boksi është një sport që ka vëmendje të madhe si nga publiku, ashtu edhe nga institucionet, media dhe sponsorët, të cilët investojnë mjaft për këtë sport që ka nxjerrë kampion të mëdhenj”, shprehet Sorra, i cili bën krahasimin me Shqipërië, ku sipas tij, sporti i boksit nuk ka vëmendjen e duhur.
“Kur kam qenë në Shqipëri dhe konkurroja për Partizanin, kemi pasur shumë vështirësi financiare, pasi investimet ishin të pakta si nga Federata, ashtu dhe nga sponsorët, pasi vëmendja për sportin e boksit nuk është në ato nivele që duhet të jetë”, thotë Sorra. Albi tregon se është në formë optimale, kjo falë edhe stërvitjes që po zhvillon në Moskë me trajnerë rusë dhe mendon se mund të arrijë një rezultat pozitiv në peshën 69 kg.
Albi Sorra ishte flamurmbajtësi i delegacionit shqiptar në Lojrat Mesdhetare “Peskara 2009” të zhvilluara në qershorin e kaluar në Itali, si dhe është një nga sportistët shqiptarë më premtues në sportin e boksit. Ish-boksieri i Partizanit, Albi Sorra, megjithëse ka qenë një nga protagonistët e boksit shqiptar edhe në aktvitetet ndërkombëtare, nuk ka më vëmendjen e Federatës Shqiptare te Boksit, e cila nuk e ka grumbulluar më për aktivitetet ndërkombëtare boksierin e talentuar.
No Comments